A kam të drejtë për kompensim në të holla?
Nëse jeni viktimë e një vepre penale me dhunë, ju keni të drejtë në kompensim në të holla për shkak të pasojave që keni pësuar si rezultat i veprës penale të kryer me dashje me përdorimin e forcës fizike ose veprimeve të tjera që kanë rezultuar në dëmtim të rëndë të shëndetit.
Ju jeni viktimë e drejtpërdrejtë nëse keni pësuar një dëmtim të rëndë të shëndetit fizik ose mendor si pasojë e drejtpërdrejtë e veprës penale të kryer.
Ju jeni gjithashtu një viktimë e drejtpërdrejtë nëse keni pësuar një dëmtim të rëndë të shëndetit fizik ose mendor si rezultat i:
– përpjekjes për të parandaluar kryerjen e një vepre penale të dhunshme,
– ofrimit të ndihmës për viktimën, dhe
– asistimit të policisë gjatë privimit nga liria të kryerësit të veprës penale të dhunshme.
Ju gjithashtu mund të jeni viktimë indirekte nëse jeni anëtar i familjes (bashkëshort apo partner jashtë martesor, fëmijë, prind) së viktimës së drejtpërdrejtë e cila ka vdekur për shkak të veprës penale lidhur me dhunën.
E drejta për kompensim në të holla si viktimë, ju takon pavarësisht nga statusi juaj, gjegjësisht pavarësisht nëse jeni shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, shtetas i huaj[1], në bazë të parimit të reciprocitetit ose të një marrëveshje ndërkombëtare, person pa shtetësi ose person i paevidentuar në librin amë të të lindurve, nëse në kohën e kryerjes së veprës penale qëndroni në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
[1] kompensim në të holla i paguhet viktimës që është shtetas i një shteti anëtar të Bashkimit Evropian
dhe do të fillojë të zbatohet nga data e pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Çfarë është vepër penale me dhunë?
Vepra penale me dhunë mund të jetë e lidhur me dhunën me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunën në familje, vepër penale me të cilën cenohet integriteti gjinor, vepër penale që lidhet me vendosjen e skllavërisë dhe transportin e personave në skllavëri, trafikimin e qenieve njerëzore dhe trafikimin e fëmijëve.
Vepër penale me dhunë mund të jetë gjithashtu edhe një vepër penale tjetër me anë të së cilës me një veprim, mjet ose pajisje përgjithësisht të rrezikshme, rrezikohet jeta ose pasuria e personit, që ka shkaktuar vdekjen ose lëndime të rënda trupore ose dëmtimin e rëndë të shëndetit fizik ose mendor të një ose më shumë personave.
Cilat kushte duhet t’i plotësoj që të mund të realizoj të drejtën për kompensim në të holla?
Parakusht për realizimin e të drejtës për kompensim në të holla është që, vepra penale të jetë e evidentuar ose e raportuar në stacionin policor ose në prokurorinë publike.
Me kërkesën tuaj ose me kërkesën e prindit/kujdestarit ose autorizuesit tuaj, policia ose prokuroria publike është e detyruara t’ju lëshojë njoftim të duhur, procesverbal se është pranuar kallëzim, shënim zyrtar ose vërtetim që vepra është raportuar ose regjistruar si vepër penale.
Ju keni të drejtë për kompensim në të holla pavarësisht nëse kryerësi i veprës penale është i njohur dhe pavarësisht nëse kundër kryerësit të veprës penale është nisur procedurë penale, madje edhe nëse ka pengesa faktike ose ligjore për zhvillimin e procedurës penale.
Cilat lloje të kompensimit në të holla mund t'i fitoj?
Ju keni të drejtë për kompensim në të holla, edhe atë për:
- shpenzimet për shërim dhe pajisje mjekësore (shuma maksimale deri në 2,000 euro në kundërvlerë të denarit),
- të ardhurat e humbura (shuma maksimale deri në 2,000 euro në kundërvlerë të denarit),
- shpenzimet e varrimit (vetëm nëse nuk i keni arkëtuar të njëjtat në një bazë tjetër),
- mirëmbajtje e humbur (shuma maksimale prej 4,500 euro në kundërvlerë të denarit), dhe
- ndihmë solidariteti për pasojat e pësuara nga vepra penale (shuma maksimale deri në 500 euro në kundërvlerë të denarit).
Shuma e kompensimit në të holla që mund të fitoni në të gjitha llojet, nuk mund të tejkalojë shumën totale prej 5,000 euro në kundërvlerë të denarit.